Thursday, March 19, 2009

Nga Emrie Krosi

METAMORFOZÊ DHIMBJEJE

Shënime për librin me tregime “Turtullesha dhe djalli”

“Turtullesha dhe djalli” titullohet libri i parë me tregime i prozatorit Shefki Hysa. Kjo përmbledhje me tregime është pasqyrë e një realiteti të shpërfytyruar prej ish diktaturës komuniste, ndryshe nga ai “realitet” i sajuar socialist që himnizonte letërsia e gjymtuar e realizmit ideologjik. Pra, krijimtaria e këtij autori i përket një letërsie të mohuar nga ish-censura komuniste, e cila ruhej nga të ashtuquajturat kthetra të “dekadencës së absurdit”, që gjoja errësonin vlerat e vërteta të artit e të letërsisë shqiptare.

Shkrimtari Shefki Hysa në këtë libër paraqitet sa këngëtar i dashurisë dhe njëherësh i metamorfozës së madhe njerëzore që shkakton dhimbja e humbjes së asaj dashurie që dhunohet prej së keqes, që simbolizohet prej djallit, qoftëlargut, shejtanit apo sa e sa nofka të tjera, me të cilat rapsodi popullor emërton ligësinë e njeriut. Në këtë këndvështrim, krijimtaria e tij është një risi, e cila risjell në mënyrë krijuese në letërsinë moderne shqiptare, elementet e magjishme që hasen shpesh në krijimet folklorike, veçanërisht në eposin çam, gjë që e bën këtë letërsi të mrekullueshme e me vlera te mëdha, si ajo e realizmit magjik e përfaqësuar nga shkrimtari me famë botërore Gabriel Garsia Markez.

Ku shfaqet ky realizmo-magjizëm në tregimet e Shefki Hysës? Në tragjizmin e vetë realitetit të sjellë mjeshtërisht në dy plane: në njërin fati tragjik i njeriut dhe i dashurisë së mohuar, dhe në planin tjetër eposi i mrekullueshëm çam, me legjendat, përrallat, baladat, rrëfenjat, tregimet e jetuara e ngjarjet ngjethëse , të ritreguara artistikisht në krijimtarinë e këtij autori me origjinë nga Çamëria martire e përgjakur prej dhunës së legjioneve barbare zerviste greke.

Pra, “Turtullesha” e tij s`ështe gjë tjetër, veçse një “Dashuri në kohën e kolerës” e ngjajshme me dashuritë e kohërave të trazuara të Markezit, që enden e enden shekujve deri në ditët tona dhe që do të vazhdojnë të enden deri sa të ekzistojë lufta e pashmangshme midis së Mirës dhe së Keqes. Fëshfërima e mallit të pashuar dashuror ndihet nga njëra faqe e librit në tjetrën, siç ndihet dhe ai pikëllim shkretëtire që buron prej transformimit që sjell e keqja, djalli, në jetën e përditshme njerëzore.

Transformimi në realitetin letrar që ka krijuar Shefki Hysa, i ngjan një lloj metamorfoze kafkane e risjellë në formën e nje rrëfenje, (jo si përrallë, por si një realitet metaforik i fshehur nga vështrimi i përbindshëm i “cikllopit shtet”), gjë që e bën librin e këtij prozatori një guxim me vlera letrare të rralla. Pa fshehur asgjë, (larg kolektivizmit dhe dashurisë së detyruar në realitetin e punës kolektive që predikonte socrealizmi), kjo krijimtari e vë individin në përmasat e vërteta dhe shpalos mesazhin se dashuria dhe dhimbja janë produkte sa njerëzore dhe hyjnore, të cilat nxisin te njeriu aftësitë për mbijetesë në luftën e gjatë për ekzistencë.

Njeriu i dashuruar me jetën përjeton fitore e humbje, pra, kalon nga njëra gjendje në tjetrën, madje edhe metamorfozohet për të mbrojtur veten prej dhimbjes që i shkakton e keqja.

Në librin “Turtullesha dhe djalli”, kjo metamorfozë dhimbjeje nuk vjen si një përjetim i një çasti përfytyrimi, por si një përmbysje e një “Piramide Keopsale” antivlerash që stolisnin shpesh shpirtin e dashurisë së personazheve të letërsisë socrealiste. Nuk ka religjion e ideologji në këto tregime, por thjesht një lirizëm autentik, një shpërfaqje e një “legjende” universale besimi, që quhet dashuri-dhimbje dhe humbje njerëzore, sa reale dhe tokësore, si në çdo vepër të letërsisë bashkëkohore botërore.

Mos vallë ky lirizëm pikëllues është thjesht një trill artistik? Jo! Êshtë shprehje mbijetese në kujtesën e dashurisë njerëzore, e cila, si vetë jeta, në procesin e lëvizshmërisë brenda lëndës dhe materies, gjallon duke shkaktuar më shumë lot e dhimbje se sa buzëqeshje. Çdo lloj dashurie sjell ndryshim, lulëzim, por e keqja, si gjithë bishat në pritje të preve të veta, synon shkatërrimin e shpirtit të dashurisë, e cila, për të mbijetuar, detyrohet të shndërrohet, të metamorfozohet, pa e humbur funksionin e vet, si në rastin e personazheve Turtulleshë e Shushurimë që, megjithëse u metamorfozuan, u rimishëruan në Zog dhe në Erë, përsëri dy realitete të lidhur pazgjidhshmërisht e të domosdoshëm për njëri-tjetrin.

Ky “realizëm magjik”, kjo mrekulli, paraqitet si koncept i mbijetesës së krijesave me origjinë hyjnore që kurrë nuk mbarojnë përballë fatalitetit që u sjell përplasja me të keqen, veçse tranformohen si në këto tregime, që nuk kanë “korniza letrare” e as “ego estetike joniane”, por pasqyrojnë atë që ndien e përjeton njeriu shqiptar, pavarësisht se sa i shpreh në rrethana të caktuara.

Askush nuk mund të thotë se jetova pa jetuar, askush nuk mund të thotë se dashurova pa dashuruar, askush nuk mund të thotë se humba pa luftuar… Ky është thelbi i mesazhit që na përcjell libri “Turullesha dhe djalli”…

Emrie Krosi

No comments:

Post a Comment